Sample Text

Tuesday, December 11, 2012

Haliti: “Jam i gatshëm të luaj për Kosovën”

Kosovari Labinot Haliti, i cili aktualisht militon në klubin australian Western Sydney Wanderers, është shprehur i gatshëm të luaj për përfaqësuesen e Kosovës.Futbollisti kosovar, i cili kishte luajtur për ekipin U-23 të Australisë në vitin 2006, ka thënë se është i gatshëm të luaj për Kosovën, kur vendi ynë do të pranohet në arenën ndërkombëtare. “Të jem i sinqertë, nuk kam menduar shumë për këtë punë. Ajo çka jam i koncentruar për momentin është këtu në Wanderers, ta ndihmoj ekipin tim dhe të kem sezon pozitiv. Shpresoj që Kosova ta ketë mundësinë të luajë dhe nëse jam ende duke luajtur kur ajo do të lejohet të zhvillojë miqësore dhe nëse më thërrasin, atëherë pse jo”, ka thënë Haliti për ueb faqen footballaustralia.com.au. Prishtinasi shpreson që FIFA t’ia lejojë sa më shpejt përfaqësueses kosovare zhvillimin e ndeshjeve miqësore. Sipas 27 vjeçarit njerëzit në Kosovë e meritojnë t’u jepet një mundësi për të luajtur, sepse sipas tij, njerëzit e Kosovës duan këtë sport. “Njerëzit atje e meritojnë të luajnë, ata janë ta pasionuar dhe e duan këtë sport, atëherë përse të mos lejohen?”, pyet Haliti. “Do të doja ta shoh Kosovën që t’i lejohet e drejta për të zhvilluar miqësore. Njerëzit që merren me këtë punë janë duke dhënë gjithçka për ta arritur këtë. Mendoj se ata e meritojnë një vendim të favorshëm. Nuk shoh ndonjë arsye se përse duhet t’u ndalohet një e drejtë e tillë”, tha sulmuesi prishtinas.