Sample Text

Tuesday, December 11, 2012

Haradinaj do të bashkojë opozitën shqiptare në Maqedoni

Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj pritet të bashkojë partitë shqiptare të opozitës në Maqedoni.
Kjo nismë bëhet e ditur jozyrtarisht nga përfaqësues të kësaj partie, të cilët kanë theksuar për agjencinë e lajmeve INA, se një propozim i tillë ka qenë pjesë e takimit të fundit midis Haradinaj dhe delegacionit të PDSH-së në selinë e AAK-së në Prishtinë.

Në rast të një misioni të tillë të Haradinaj, atëherë formula e bashkëpunimit pritet të arrihet midis partive PDSH, RDK, DR dhe forcat e tjera politike, duke qenë përballë partisë shqiptare në pushtet BDI.
“Në këtë takim është trajtuar edhe kjo temë rreth bashkimit të votës shqiptare, por sigurisht se ka pasur opsione të ndryshme që janë trajtuar. Me rëndësi është që të bashkohet vota e shqiptarëve dhe në këtë drejtim si parti mbështesim gjithmonë unitetin”, ka theksuar për INA, një përfaqësues i AAK-së.
Sipas tij, mesazhet e fundit të Haradinaj pas lirimit nga Tribunali i Hagës kanë vijuar me thirrjet për tu bashkaur rreth interesave të rëndësishme të shqiptarëve dhe për një unitet parimor.
Në AAK nuk kanë dashur të flasin zyrtarisht mbi çështjet e politikës shqiptare në Maqedoni dhe qëndrimet e Haradinaj, duke kërkuar që rreth kësaj të prononcohet vetëm lideri i tyre.
Javën e kaluar në disa media u lansua gjithashtu lajmi për një mision të Haradinaj për shqiptarët në Maqedoni, por duke nënvizuar unitetin midis dy partive më të mëdha BDI dhe PDSH, gjë që nuk u konfirmua nga AAK-ja. (INA)LAJME