Sample Text

Tuesday, December 11, 2012

IA VRAU GRUAN SHOKUT



Hadije Tunuzliu u mbyt me thikë më 3 dhjetor. Trupi i 42 vjeçares u gjet në fshatin Lupq i Epërm të Podujevës, ndërsa dyshohet se atë e vrau Xh. Tërstena, 58 vjeçar nga Vushtrria. I dyshuari dhe familja e viktimës kishin marrëdhënie të mira shoqërore në mes vete.

E priti të kthehet nga puna sikurse ditëve të tjera. Por u bë natë dhe Hadije Tunuzliu nuk po kthehej në shtëpi. Kjo vonesë e shqetësoi të shoqin.
Sezair Tunuzliu kot e thërriste në telefon të shoqen sepse atë e kishte fikur. Burri nga Vushtrria thirri të gjithë të afërmit për të mësuar nëse ata dinë diçka për fatin e saj. Por askush nuk dinte asgjë.
Të nesërmen disa SMS të dërguara nga numri i saj në telefonin e së bijës e shtyn Sezairin të dyshojë se diçka nuk është në rregull.
“Më kanë rrëmbyer me thikë në kokë, më kanë çu rrugës për Gjilan”, ishte përmbajtja e njërit nga mesazhet telefonike që kishin ardhur në telefonin e vajzës së Sezairit, që njëkohësisht është fëmija i vetëm i çiftit.
Sezairit si mbet asgjë tjetër veçse ta lajmërojë policinë për zhdukjen e bashkëshortes me të cilën kishte jetuar 27 vjet. Pas gati një javë kërkimi, misteri i zhdukjes së Hadijes u zbulua.
Ajo u gjet dhjetëra kilometra larg shtëpisë së saj. Të shtunën në mbrëmje kufoma e Hadije Tunuzliut u gjet e vrarë në malin e fshatit Lupq i Epërm të Podujevës. Bashkë me gjetjen e kufomës u paraburgos edhe i dyshuari. Ai ishte një person që kishte shoqëri të afërt me familjen Tunuzliu nga Vushtrria. Fiks një javë pas vrasjes Hadije Tunuzliu u varros, ndërsa familjarët e burrit kanë hapur derën për ngushëllime.
Sezair Tunuzliu mjaft i mërzitur rrëfen të gjitha ato çka ka përjetuar ditëve sa nuk e dinte se ku e kishte gruan. Tash kur e kanë gjetur të vdekur është më i çliruar, por edhe pret që gjithçka të sqarohet në gjykatë.
“Ne ende nuk kemi asgjë zyrtare nga policia. Vetëm e dimë se ajo është vrarë me thikë”, thotë Sezairi.
Por më e rënda për të është se personi që dyshohet për vrasjen e bashkëshortes është mik i afërt i tij.
Xhelal Tërstena (58 vjeçar), të cilin policia e ka arrestuar si të dyshuarin kryesor për vrasje, hynte e dilte lirisht në shtëpinë e Sezairit. Ata dy ishin shokë të ngushtë dhe kishin lidhje të mira në mes vete. Madje Sezairi tregon se shpeshherë edhe i ka ndihmuar me para atëherë kur ai ishte ngushtë për to. Në lidhje me atë që ka ndodhur Sezairi e ka vetëm një term për tashmë ish-shokun e ngushtë.
“Çka muj me thënë për të, maniak veç”, tha Sezairi.
Por ishte vetë burri i viktimës që i ndihmoi policisë që ta zbardhë rastin. Thotë se menjëherë ka dyshuar tek ai, edhe pse nuk pranon se ka vërejtur ndonjë sjellje të pazakontë të dyshuarit dhe gruas së tij.
Madje pohon se lidhja martesore me Hadijen ishte shumë e mirë, edhe pse për këto 27 vjet ata nuk kishin pasur fëmijë. E vajzën që e kanë rritur nuk është e tyre, por e adoptuar.
Sezairi nuk dëshiron të japë shumë detaje për atë çka ka ndodhur, mirëpo një i afërm i familjes sqaron se tashmë e ndjera dhe i dyshuari kanë pasur një lidhje të fshehtë dashurie.
“Por as ne nuk e dimë cilat janë motivet që e kanë shtyrë që ta vrasë”, tha i afërmi i familjes që nuk dëshiron t’i përmendet emri.
Për motivet nuk ka treguar as i dyshuari Tërstena, mirëpo në momentin e arrestimi ai ka pranuar se ka kryer vrasjen.
Burime nga policia bëjnë të ditur se Hadija është vrarë në Lupq të Epërm qysh më 3 dhjetor. I dyshuari me SMS-të që ia ka dërguar familjes së të ndjerës, por edhe me lokacionin ku e ka bërë vrasjen ka dashur që t’i humbë gjurmët. Mirëpo ishte pikërisht telefoni, njëra nga pistat që i dyshuari u zbulua si kryerësi i vetëm i kësaj vepre. Në Prokurorinë e Qarkut në Mitrovicë nuk tregojnë asgjë rreth këtij rasti pasi tashmë ky rast ka kaluar në dorë të Prokurorisë së Qarkut në Prishtinë.
“Është konstatuar se vrasja është kryer në rajonin e Prishtinës, prandaj tash ka kaluar atje”, tha një prokuror i Qarkut të Mitrovicës. Rastin e ka raportuar të hënën në mëngjes edhe Policia e Kosovës.
Zëdhënësi i policisë rajonale në Mitrovicë, Besim Hoti, tha se nga data 3 dhjetor Policia e Kosovës ishte në kërkim të personit të gjinisë femërore, H.Tunuzliu (1970) Vushtrria, pasi familjarët e saj kishin njoftuar Policinë e Kosovës se e njëjta mund të ishte rrëmbyer nga persona të panjohur.
"Trupi i pajetë i viktimës ishte gjetur të shtunën në fshatin Lupq i Epërm, të Podujevës, ndërsa pas bashkëpunimit në mes të hetuesve rajonalë të Policisë së Kosovës në Mitrovicë dhe atyre në Prishtinë, kufoma ishte identifikuar si viktima e raportuar e humbur nga data 3 dhjetor”, ka thënë Hoti.
Sipas tij policia ka arrestuar një të dyshuar të mundshëm si kryes të këtij akti kriminal. I dyshuari 58 vjeçar, banor i Vushtrrisë, është arrestuar dhe u është dorëzuar hetuesve për krime të rënda në rajonin e Prishtinës, ndërsa me urdhër të prokurorit publik të njëjtit i është caktuar masa e ndalimit policor.
Rasti është cilësuar si vepër penale “vrasje e rëndë”, ndërsa hetimet do të udhëhiqen nga hetuesit rajonalë të Policisë së Kosovës në Prishtinë.