Sample Text

Tuesday, December 11, 2012

Statusi kandidat për Shqipërinë pa kushte shtesë në BE

Presidenca qipriote ka bërë të ditur se konkluzionet për Shqipërinë nuk do të jenë negative dhe se nuk do të ketë kushte shtesë për marrjen e statusit të vendit kandidat. Draft-konkluzioni nuk ka hasur në asnjë kundërshtim nga ambasadorët e përhershëm të shteteve anëtare, ndaj pritet që të ruajë këtë formë në versioninpërfundimtar.

“Këshilli vëren rekomandimin e Komisionit për t’i dhënë Shqipërisë statusin kandidat, nëse përmbushen masat kyçe në fushat e reformës së gjyqësorit dhe administratës publike dhe pas ndryshimeve të rregullores së parlamentit. Me synimin për të vendosur nëse do të japim statusin kandidat, Këshilli fton Komisionin të raportojë porsa të jetë arritur progresi i nevojshëm, duke marrë parasysh gjithashtu ecurinë e mëtejshme të Shqipërisë për të luftuar korrupsionin, krimin e organizuar, përfshirë hetimet pro-aktive dhe ndjekjet penale të rasteve të tilla” thuhet në draft konkluzionet.
Zgjedhjet konsiderohen si test edhe për hapjen e negociatave dhe për konsolidimin e institucioneve.
“Mbajtja e suksesshme e zgjedhjeve parlamentare të vitit 2013 do të jetë një test thelbësor për funksionimin e patrazuar të institucioneve demokratike të vendit” thuhet në draft konkluzionet.
Këshilli i përmbahet vlerësimit të Komisionit Europian për progresin që ka bërë Shqipëria në përmbushjen e prioriteteve kyçe, si dialogu politik, e mirëfunksionimit të parlamentit, reformës zgjedhore dhe emërimin e zyrtarëve kyç.
Por Këshilli nënvizon nevojën për të rritur më tej përpjekjet në fushën e reformave të gjyqësorit për të forcuar pavarësinë, efikasitetin dhe përgjegjshmërinë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, në mbrojtjen e të gjitha minoriteteve dhe zbatimin e të drejtës së pronës.LAJME